Begaj viziton Kalabrinë e arbëreshët, bust të Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshet e komunave ku mungojnë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u prit sot në një ceremoni zyrtare nga autoritetet më të larta të rajonit të Kalabrisë, ku ndodhet për të përmbushur fjalën e dhënë për të takuar komunat arbëreshe dhe nderuar emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke vendosur bustet e tij në sheshet e komunave ku ato mungojnë.

Por, për Presidentin e Republikës këto takime nuk janë vetëm për të ndërlidhur komunitetet arbëreshe me Shqipërinë (nën iniciativën e tij po binjakëzohen disa komuna arbëreshe me bashki shqiptare).

Presidenti Begaj e sheh këtë vizitë si një perspektivë më të thellë, atë të forcimit të bashkëpunimit me komunat dhe rajonet italiane dhe, gjithashtu, për të zhvilluar ekonomitë e të dyja vendeve. Kreu i Shtetit ftoi drejtuesit  dhe investitorët italianë ta shohin Shqipërinë si një portë investimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria, u shpreh Presidenti Begaj, sikundër shumë prej jush e kanë prekur dhe e dinë, është një vend i orientuar nga paqja dhe harmonia me fqinjët, për një prosperitet të të gjithë rajonit.

“Ne i jemi falënderues Italisë për mikpritjen dhe integrimin e kahershëm të arbëreshëve dhe të shqiptarëve pas viteve ‘90, sikurse edhe për respektimin dhe jo asimilimin e tyre.Me italinë kemi marrëdhënie të partneritetit strategjik. Italia është partneri ynë me shkëmbimet tregtare më të mëdha e, mbi të gjitha, avokatia më e madhe për integrimin tonë në BE”.

Në një prononcim të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për median italiane, i pyetur mbi rëndësinë e vizitës për lidhjet midis Shqipërisë dhe Kalabrisë, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Do ta korrigjoja pyetjen tuaj, se nuk është një lidhje e rëndësishme midis Kalabrisë dhe Shqipërisë, por është një lidhje mjaft e rëndësishme e Italisë me Shqipërinë. Lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë është një lidhje, e cila bazohet mbi rrënjë të thella, mbi një partneritet strategjik. Jemi vende anëtare në NATO, kemi një avokate shumë të mirë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, siç është Italia, dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë ekonomik dhe tregtar. Nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe në fushën e edukimit midis universiteteve të dy vendeve”-  u shpreh Presidenti i Republikës.