Presidenti Bajram Begaj, duke folur në konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut , tha se Porto Romano është afruar si një mundësi tjetër nga Qeveria shqiptare për NATO-n. Begaj tha se rritja e buxhetit për mbrojtjen në masën 2% nuk është më pika kulminante, por një bazë e qëndrueshme për modernizimin e forcave të mbrojtjes. Në vijim të fjalës së tij, Kreu i Shtetit tha se sfidat me të cilat përballemi janë të shumta.
“Ukraina përballet me një agresion të paprecedent, të paligjshëm dhe të paprovokuar nga Rusia, e cila është kthyer në sfidues të rregullit botëror. Në Lindjen e Mesme kemi përshkallëzim të konfliktit. Rajoni ynë përballet me sfidat specifike, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit.Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet.Ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në Rajon”, tha Begaj.
Presidenti u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë jo thjesht për sigurinë e Kosovës, por do i shërbente edhe më tej sigurisë së Rajonit.
“Karta e Adriatikut ka treguar se është një instrument i rëndësishëm që kontribuon në integrimin e Rajonit në familjen euro-atlantik”, tha Begaj.
Ndërsa vuri theksin në partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA, Kreu i Shtetit tha se ky partneritet i qëndrueshëm dhe i fortë ka bërë që sot të kemi një Rajon edhe më të sigurtë.
Presidenti Begaj në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA- Karta e Adriatikut
“Platformë ndërveprimi mes aleatëve, respektim i ndërsjellë në Ballkan, anëtarësim i Kosovës në NATO, rivitalizim i industrisë së mbrojtjes në Shqipëri, zgjerim i infrastrukturës shqiptare në dispozicionin të NATO-s”.
FJALA E PLOTË:
Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për zgjerimin e infrastrukturës në dispozicion tëNATO-s, krahas vijimit të kontributit me trupa dhe kapacitete. Kreu i Shtetit përmendi ofrimin e Porto Romanos si një mundësi tjetër për Aleancën, si edhe objektivin për rivitalizimin e industrisë në fushën e mbrojtjes.
Ndërsa rikonfirmoi qëndrimin e qartë dhe të palëkundur tëShqipërisë krah bllokut Euroatlantik, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë dhe komunitetin e vlerave demokratike. Sipas Kreut të Shtetit,përballë agresionit rus në Ukrainë dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme kërkohet një qasje e bashkuar dhe një angazhim i përbashkët për t’i adresuar këto çështjemadhore në mënyrë efikase e të qëndrueshme.
Për sa i përket sfidave të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Shqipërisë theksoi: “Në dekadat e fundit, rajoni ynë mbetet i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të brendshme e të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.
“Tensionet artificialisht të krijuara, qoftë të natyrës etnike dhe politike, ndërhyrjet e huaja nga aktorë të tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë vëmendje të veçantë dhe bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, – u shpreh Presidenti Begaj në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.
Ndërsa konfirmoi rolin e qartë dhe konstruktiv të shqiptarëve në rajon, Presidenti i Shqipërisë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO, duke e cilësuar këtë proces thelbësor edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, evidentoi si vlerë të shoqërisë shqiptare harmoninë dhe bashkëpunimin ndërfetar teksa theksoi shtrirjen e këtij modeli në të gjithërajonin për një ardhmëri më të mirë të brezave të rinj.
Duke iu referuar takimit të një dite më parë të mbajtur në Tiranë mes të rinjve të besimeve të ndryshme në kuadrin e nismës “MED 24”, si dhe mesazhit të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës theksoi se :
“Unë besoj se atyre të rinjve dje dhe të rinjve të rajonit tonë sot ne duhet t’iu dërgojmë mesazhin që vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, vetëm duke punuar përditë e më shumë për të forcuar sigurinë në rajonin tonë, ne do t’u lëmë atyre një të ardhme më të mirë, një vend ku ata meritojnë të jetojnë, të zhvillojnë jetën e tyre”.
“Besoj se rinia e meriton këtë mesazh!”, – deklaroi Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.