BE vlerëson progresin e Shqipërisë, Kos: Hapja e të gjithë kapitujve brenda vitit

Shkupi është kthyer këtë javë në epiqendrën politike të Ballkanit Perëndimor, ku po mbahet Samiti i Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në zbatimin e Planit për Rritje të BE-së. Nën mikpritjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, takimi ka mbledhur liderë të rajonit, ministra, zyrtarë të lartë të BE-së dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave, duke theksuar se në vetëm gjashtë muaj janë hapur tre kapituj negociues dhe se është realiste hapja e të gjithëve brenda këtij viti.

“Faleminderit që kontribuoni në suksesin e procesit të zgjerimit,” u shpreh Kos, duke shtuar se mezi pret të festojë hapjen e kapitullit të fundit në vjeshtë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij, nënvizoi se “kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore”, duke theksuar gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj BE-së. “Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” deklaroi ai.

Përtej sesioneve zyrtare, Rama zhvilloi edhe një vizitë simbolike në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku u prit nga qytetarët dhe shoqërohej nga figura të rëndësishme politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut si Bujar Osmani dhe Arben Taravari. Ai pati një drekë informale dhe një shëtitje në rrugicat e ngushta të çarshisë, duke theksuar përmes këtij gjesti dimensionin kulturor dhe bashkëpunimin ndërshqiptar në rajon.

Mbrëmjen e djeshme, Rama zhvilloi një takim edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke e thelluar më tej frymën e bashkëpunimit mes faktorëve shqiptarë në të dy anët e kufirit.