BE propozon ligj të ri për riatdhesimet, mbështetje modelit Itali-Shqipëri: Të gjithë po ndjekin shembullin e Melonit
Bashkimi Evropian është gati të miratojë një ligj të ri ambicioz për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, duke ndjekur hapat e qeverisë italiane dhe marrëveshjes së saj me Shqipërinë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur nga Brukseli se një propozim ligjor i unifikuar për kthimet do të jetë pjesë thelbësore e Paktit për Emigracionin dhe Azilin, duke vendosur rregulla të reja që synojnë kthimin më të shpejtë dhe të organizuar të emigrantëve që nuk përmbushin kriteret për azil.
“Riatdhesimi është një element kyç,” u shpreh Ursula, duke theksuar se do të ketë një urdhër të ri evropian për kthim dhe njohje të ndërsjellë të vendimeve për kthim mes vendeve anëtare të BE-së. Me këtë qasje, riatdhesimet nuk do të varen më nga shtetet individuale, por do të bëhen në mënyrë të koordinuar në nivel evropian.
Rregullorja e re parashikon që emigrantët e paligjshëm që riatdhesohen me forcë të ndalohen të rikthehen në BE, ndërsa masat e reja do të jenë më të forta kur ka rrezik për sigurinë. Von der Leyen theksoi gjithashtu se këto veprime do të ndërmerren në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe me të drejtat themelore të njeriut.
Më tej, ligji i ri pritet të forcojë zbatimin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila parashikon ndërtimin e qendrave për emigrantë në territorin shqiptar. Pavarësisht vendimeve të mëparshme kundërshtuese të gjykatave italiane, në kuadër të legjislacionit të ri evropian, asnjë vendim gjyqësor kombëtar nuk do të ketë më fuqi për të bllokuar kthime të tilla.
Ky zhvillim është parë si një fitore politike për kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila ka promovuar modelin e bashkëpunimit me vendet jashtë BE-së, si Shqipëria. Madje, edhe Britania e Madhe, që tashmë është jashtë Bashkimit Evropian, po shqyrton një marrëveshje të ngjashme me Kosovën, për të ndërtuar qendra pritjeje për emigrantët, në stilin e Gjadrit në Lezhë.