Liderët e Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe janë mbledhur në Pallatin Presidencial në Paris, me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, për të diskutuar mbi procesin e paqes në Ukrainë. Në këtë takim marrin pjesë kryekomisionerja Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Takimi urgjent vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përjashtuan BE-në dhe Britaninë e Madhe nga bisedimet për Ukrainën, që nisin të martën në Arabinë Saudite. Një nga pikat kryesore të diskutimeve është mundësia e dërgimit të trupave paqeruajtëse nga NATO në Ukrainë, një ide e mbështetur fuqimisht nga kryeministri britanik Keir Starmer, por që rrit frikën e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje për unitet mes Europës dhe SHBA-së, duke theksuar se NATO duhet të veprojë së bashku dhe të ndajë rreziqet.
Ndërkohë, presidenti Macron ka zhvilluar një bisedë me homologun amerikan Donald Trump, megjithëse nuk janë dhënë detaje për diskutimet mes tyre. Në Riad ka mbërritur edhe delegacioni amerikan, i kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marko Rubio, ndërsa pala ruse përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Ky i fundit deklaroi se BE-ja nuk dëshiron përfundimin e luftës, ndaj nuk kishte arsye të ishte pjesë e negociatave.
Bisedimet në Arabinë Saudite pritet të hedhin bazat për një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për Ukrainën. Trump ka shprehur besimin se ky takim do të ndodhë së shpejti dhe ka deklaruar se në bisedimet e paqes do të ftohet edhe Ukraina.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar pjesëmarrjen në negociata, duke mos njohur asnjë rezultat të tyre. Ai kundërshton pjesëmarrjen, pasi Uashingtoni ka propozuar që Ukraina të heqë dorë nga rikthimi në kufijtë e vitit 2014 dhe të pezullojë aspiratat për anëtarësim në NATO për disa vite.