Së shpejti në BE pritet të ketë rregullore më të rrepta për reklamat politike në rrjetet sociale. Edhe ndikimi nga shtete të treta në zgjedhjet në vendet e BE do të ndalohet.
Kufizim i Mikrotargeting
Kjo lloj reklame politike nuk do të jetë më e mundur në të ardhmen me një ligj të ri. Këtë javë si Këshilli i BE edhe Parlamenti Europian ranë dakord për ligjin e ri, i cili duhet të votohet vetëm formalisht. Ky ligj parashikon që të dhënat e personit të prekur lejohet të mblidhen vetëm atëherë, kur ai ka rënë shprehimisht dakord për përdorimin e tyre për qëllime politike. Të dhëna të caktuara që japin informacion për përkatësinë etnike, qëndrimin politik apo orientimin seksual do të përjashtohen plotësisht, sipas një njoftimi për media të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE.
Martin Emmer profesor i komunikimit në Universitetin e Lirë të Berlinit nuk e ka quajtur këtë fundin e mikrotargetingut. Për partitë ai është një instrument i rëndësishëm për të arritur votuesit në mediat sociale. Kjo nuk anashkalohet dot më. Tek rregulloret e reja bëhet fjalë sidomos për të penguar procese të fshehta të influencimit, sipas Emmer, me tyre edhe ato ku njerëzit “marrin mesazhe sipas situatës së tyre jetësore, dhe ku pas tyre nuk mund të kuptosh “asnjë ideologji partiake”.
Detyrim identifikimi si reklamë politike
Reklama politike duhet në të ardhmen të shenjohet që është e tillë. Rregullat e reja do të mundësojnë që të marrësh informacione, se kush ndodhet pas reklamës. Përtej kësaj në plan afatamesëm është e përcaktuar të krijohet një arkiv i reklamave politike i hapur për publikun.
Në të ardhmen do të zvogëlohet ndikimi i vendeve jashtë BE tek vendet anëtare. Në tre muajt para zgjedhjeve ose një referendumi, sipas njoftimit për shtyp të Parlamentit Europian do të ndalohet që të financohet publiciteti elektoral nga vende të treta. Sipas raportuesit të Parlamentit Europian, Sandro Gozi nga grupi liberal Renew në PE rregullat e reja do ta bëjnë të vështirë që aktorë të huaj të përhapin informacione të rreme dhe të intervenojnë në procese demokratike.
Mbrojtja nga ndikimi i huaj
Në Gjermani ky ligj mund të prekë votuesit me origjinë turke, të cilëve u adresohen politikanë turq. Edhe pse Rusia nuk përmendet me emër, bëhet fjalë edhe për përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim në BE. Që para zgjedhjeve të kaluara në BE, Komisioni Europian paralajmëroi nga përzierja ruse.
Studiuesi Emmer, dyshon se aktorët që iniciojnë një “luftë informacioni” do të tremben nga rregulloret e reja të BE. Megjithatë ai beson, se ato mundësojnë më shumë kontroll nga BE dhe vendet anëtare. Ai përshëndet krijimin e arkivit të reklamave politike, që i mundëson botës studimore të trajtojë efektivitetin e masave. Shumica e këtyre rregulloreve nuk ka për të hyrë në fuqi para zgjedhjeve europiane vitin e ardhshëm. Aty parashikohet një afat tetëmujor që fillon, sapo vendet anëtare dhe Parlamenti Europian t’i kenë miratuar formalisht ato./DW