BE hap 8 kapituj të rinj me Shqipërinë, Rama: Po ecim me ritëm të lartë drejt mbylljes së negociatave në 2027
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit nga Këshilli i Bashkimit Europian për hapjen e grup-kapitullit të tretë të negociatave me Shqipërinë, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm drejt synimit strategjik për anëtarësimin në BE.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama theksoi se “rruga drejt Shqipërisë 2030 vazhdon pa ndalim” dhe nënvizoi se ritmi i deritanishëm i negociatave është një tregues i qartë i përparimit të vendit dhe i mbështetjes së fortë që Shqipëria gëzon nga Bashkimi Europian.
Sipas Ramës, janë hapur tashmë 24 nga 35 kapitujt e negociatave vetëm në 8 muaj, ndërsa kanë mbetur edhe 11 për t’u hapur, çka e bën këtë një proces me ritëm të lartë dhe dinamik. Kapitujt e fundit të hapur janë pjesë e Grupit 3, që përfshin fusha të rëndësishme si arsimi, digjitalizimi, politika ekonomike, punësimi, tatimet, inovacioni dhe konkurrueshmëria.
“RRUGA DREJT SHQIPËRISË2030 VAZHDON PA NDALIM
Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3:
Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin
Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027″, shprehet Rama.