BE gati kundërpërgjigjen ndaj tarifave të Trump: Propozohen 25% tarifa për produkte amerikane, përjashtohet uiski “Bourbon”
Komisioni Evropian ka hartuar një plan kundërmasash ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për rikthimin e tarifave mbi çelikun dhe aluminin, duke propozuar vendosjen e tarifave prej 25% ndaj një sërë produktesh amerikane.
Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters, faza e parë e tarifave pritet të hyjë në fuqi më 16 maj 2025, ndërsa vala e dytë do të nisë më 1 dhjetor të po këtij viti. Megjithatë, në listën e fundit nuk përfshihet më uiski i famshëm amerikan “Bourbon”, i cili fillimisht ishte përfshirë si pjesë e masave të mundshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur se BE mbetet e hapur për dialog, por është gjithashtu e përgatitur të mbrojë interesat e saj përmes masave të drejtpërdrejta. “Evropa është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Ne e mbajmë atë në tryezë. Por jemi gjithashtu të gatshëm të përgjigjemi përmes kundërmasave dhe të mbrojmë interesat tona,” tha ajo.
Për të mbikëqyrur ndikimin e mundshëm të masave amerikane dhe devijimin e eksporteve nga vendet e treta drejt BE-së, Komisioni ka ngritur një grup pune që do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme flukset tregtare dhe do të identifikojë çdo përpjekje për të anashkaluar tarifat përmes kanalizimit të mallrave në tregun europian.
Plani i BE-së tregon një qëndrim më të ashpër dhe të koordinuar ndaj lëvizjeve tregtare të SHBA-së, në një kohë kur tensionet ekonomike mes dy palëve po përshkallëzohen.