“BE e gatshme të bëjë më shumë për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave”/ Ursula von der Leyen nga Samiti në Tiranë: Po ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës në seancën plenare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të intensifikojë përpjekjet për ta sjellë presidentin rus Vladimir Putin në tryezën e negociatave me Ukrainën.
Von der Leyen theksoi se kontinenti po përballet me sfida të paprecedenta, duke përfshirë atë që e quajti “çrregullim botëror të nxitur nga qëllimet imperialiste të Putin”, por u shpreh se Evropa ka treguar një unitet të pashembullt në këtë pikë kthese të historisë.
“Sot Evropa është zgjuar, i ka sytë hapur. Duhet të ndërtojmë këtë qëndresë tonën. Jemi mbledhur në Tiranë për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët në një epokë begatie të përbashkët. Nëse ia dalim të ndërtojmë me sukses këtë mirëqënie, ky është nxitësi për ndërtimin e paqes,” tha ajo.