BE dhe UNDP dorëzojnë pajisje të specializuara për Shqipërinë në luftën kundër trafikimit të armëve

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër zotërimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse, Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes SEESAC, dorëzuan gjatë ditës së sotme pajisje të specializuara për Policinë e Shtetit Shqiptar.

Në ceremoninë e dorëzimit, të organizuar në Tiranë, morën pjesë Besfort Lamallari, Zëvendësministër i Brendshëm dhe Kryetar i Komisionit të AVL-ve, Drejtuesi i Lartë Sokol Bizhga, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, André Rizzo, I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Randi Davis, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri.

“Ky donacion i vlefshëm nuk është thjesht mbështetje për forcat tona të policisë. Ai përbën një testament të partneritetit të fortë ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe partnerit tonë zbatues, UNDP, për të kontribuuar në sigurinë rajonale dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt integrimit në BE”, u shpreh Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Pajisjet e dhuruara kanë një vlerë totale prej 1 192 782 dollarë amerikanë dhe janë financuar nga Bashkimi Evropian, në vijim të vlerësimit të nevojave operacionale të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Policisë Kriminale në Shqipëri.

“Mbështetja që kemi marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, më konkretisht nga SEESAC përmes UNDP-së dhe financimit të Bashkimit Evropian, ka qenë vendimtare në disa drejtime: përmirësimin e legjislacionit, rritjen e kapaciteteve analitike dhe operative, krijimin e strukturave të specializuara dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Sot po pranojmë një paketë pajisjesh të teknologjisë së lartë, e cila do të përdoret nga Policia Kufitare dhe Policia Kriminale. Ky investim është i drejtpërdrejtë, i nevojshëm dhe i miradresuar, si dhe vjen pas një procesi të kujdesshëm të vlerësimit të nevojave nga vetë ekspertët tanë, në bashkëpunim me partnerët”, deklaroi Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga.

“BE-ja mbetet një partner i palëkundur dhe i besueshëm në përpjekjet për të mbështetur autoritetet shqiptare përmes një angazhimi të qartë: të ndihmojë në ndërtimin e një rajoni më të sigurt dhe më të mbrojtur. Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, veçanërisht në kuadër të luftës kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe rritjes së koordinimit institucional.

Ceremonia e sotme e dorëzimit të pajisjeve të specializuara për Policinë Kufitare dhe Policinë Kriminale të Shqipërisë, në kontekstin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL), është rezultat konkret i përpjekjeve tona të përbashkëta dhe simbol i partneritetit tonë të vazhdueshëm”, u shpreh André Rizzo I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Detektorët e metalit, kamerat termike dhe skanerët me rreze X, si dhe kompletet për lëndët plasëse dhe vendngjarjen, janë të gjitha pajisje të vyera që do të forcojnë aftësinë e autoriteteve shqiptare për të mbledhur prova, realizuar hetime, si dhe për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur incidenteve me armë zjarri në mënyrë më efektive.

“Përmes mbështetjes strategjike të Bashkimit Evropian, UNDP-ja, përmes SEESAC, po dorëzon pajisje të specializuara për Policinë e Shtetit Shqiptar, duke forcuar kështu kapacitetet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, si dhe të Policisë Kriminale. Këto pajisje rrisin kapacitetet e zbulimit, thjeshtojnë analizën kriminalistike dhe përmirësojnë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe përgjigjen në rastet urgjente, si dhe theksojnë angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar komunitete më të sigurta dhe për të trajtuar ndikimin e thellë të armëve të vogla dhe të lehta në të gjithë rajonin”, deklaroi Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP, Randi Davis.

Kjo mbështetje është financuar nga Bashkimi Evropian përmes Vendimit të Këshillit (CFSP) 2019/2111, të ndryshuar përmes Vendimit të Këshillit (CFSP) 2024/381.