Bashkitë, 2 vite kohë për të shlyer borxhet
Qeveria ka miratuar tashmë udhëzimin e ri për njësitë e qeverisjes vendore, ku përmes një plani të strukturuar kërkohet të ndihmohen bashkitë në rehabilitimin e tyre financiar dhe shlyerjen e borxheve të akumuluara.
Për këtë, sipas udhëzimit do të jenë nëpunësit e autorizuar apo mbikëqyrësit financiarë të përcaktuar nga Ministria e Financave, të cilët do të analizojnë gjendjen financiare të njësive vendore. Nga ana tjetër vetë bashkitë duhet të dorëzojnë 1 herë në 4 muaj, vetëauditimin e financave të tyre.
Pavarësisht nga procedurat për rehabilitimin financiar bashkitë duhet të jetë në gjendje të ofrojë minimumin e nevojshëm të shërbimeve publike brenda një standardi të pranueshëm.
Sipas planit për daljen nga problemet finaciare bashkitë duhet të përqendrohen në rritjen e të ardhurave nga burimet e veta; përdorimin e fondit rezervë/kontigjencës; rishikimin e shpenzimeve buxhetore; shitjen ose përdorimin e aseteve publike për rritjen e të ardhurave. Afati i rikuperimit financiar dhe rikthimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore në gjendjen normale është 2 vjet.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, deri në Shtator të 2023-shit, bashkitë rezultojnë me një stok detyrimesh të prapambetura në nivelin 7.8 miliardë lekësh.