Bashkia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor, duke vënë theksin te siguria e nxënësve dhe lehtësimi i trafikut në orët e mëngjesit dhe pasdrekës. Policia Bashkiake ka vendosur shërbime në 75 shkolla në të gjithë qytetin, si dhe në dhjetëra kryqëzime dhe vija të bardha pranë tyre, për të garantuar një fillim të sigurt për nxënësit dhe prindërit e tyre.
Falë bashkëpunimit mes Policisë Bashkiake dhe Policisë Rrugore, e cila ka qenë e pranishme në terren, fillimi i shkollës ka shkuar pa probleme dhe pa ngarkesa të mëdha trafiku. Këto masa janë pjesë e një plani të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës për të siguruar një nisje të mbarë të vitit të ri shkollor.
Bashkia e Tiranës mbetet e angazhuar për të vazhduar punën e saj për sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke ndërhyrë aty ku është e nevojshme për t’i dhënë përparësi sigurisë së fëmijëve dhe komunitetit.