Bashkia e Tiranës nderon Ali Ahmetin, Rama: Vetëm ai mund të më kthente sot këtu
Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin qytetar nderi kreut të BDI-së Ali Ahmeti, për kontributin e tij në çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e këshillit bashkiak të Tiranës ka qenë dhe kryeministri Edi Rama, dhe personalitete të rëndësishëm të politikës shqiptare ndër vite. Rama tha se vetëm Ali Ahmeti mund të bënte që ai të kthehej në ambientet e bashkisë, të cilën e ka drejtuar për 2 mandate. Rama “ironizoi” dhe kryeministrin Albin Kurti, kur tha se nuk përfshihet në zgjedhjet e vendeve të tjera.
“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot. Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët të historisë shqiptarë. Një histori me mundime të mëdha dhe për shkak të fuqive të mëdha për të cilët Shqipëria ishte një bezdi. Nuk besoj se ka komb tjetër që e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetit. Ali Ahmeti një shqiptar që iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta në Maqedoni. Por me armë nuk kërkoi gjakderdhje, por vendosi në rendin e ditës domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve.
Armët në krahun e asaj rezistence nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj në të njëjtin flamur të popullit shqiptar dhe maqedonas. Rruga që hapi Ali Ahmeti ishte ajo e një misioni patriotik paqeje. Armët nuk ishin një shaka aventurierësh, por deklarata e sosjes së durimit nga shpërfillja diskriminuese. Është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët. Ali Ahmeti është mjeshtri më i madh i përdorimit të armës së diplomacisë. Pa Ali Ahmetin, shqiptarët në RMV nuk do të ishin në ditën e tyre më të mirë.
Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë, që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim që të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe të shqiptarëve, të cilëve u them që vetëm të shohin interesit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që sot është më shumë se kurrë, edhe e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, e të gjitha minoritetet që jetojnë atje, e ta mbrojnë republikën e tyre ashtu si edhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, që synojnë gjërat që nuk kanë asnjë lloj lidhje me stabilitetin dhe mirëqenien e shtetit fqinj, e që në asnjë rast, nuk mund tu sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë se çfarë kanë arritur, por mund tu sjellin atyre dëme mbi atë se çfarë kanë arritur”, tha Rama.