Bashkia e Durrësit kufizoi qarkullimin për mjetet e transportit të mallrave/ Reagon kreu i Dhomës së Tregtisë

Bashkia e Durrësit gjatë muajit gusht ka vendosur që mjetet të cilat shpërndajnë mallra të punojnë nga ora 23 deri në 8 të mëngjesit. Por ky kufizim orari ka shqetësuar distributorët dhe dy ditët e fundit pothuajse nuk ka punuar fare.

 

Kreu i dhomës së tregtisë në Durrës thotë se ky vendim i bashkisë i gjeti sipërmarrësit të papërgatitur, kjo pasi prej datës 1 gusht në Durrës është ndaluar qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave nga ora 8 deri në 23. Ky ndryshim orari ka krijuar probleme për distributorët dhe dyqanet e shitjeve me pakicë. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, Artan Luku sipërmarrësit janë gjetur të papërgatitur dhe shpërndarja e mallrave ka qenë e reduktuar.

“Burimet njerëzore nuk janë përgatitur për këto ndalime drastike, kjo ka bërë që distribucioni mos të funksionojë, Bashkia ka nxjerrë këtë urdhër pa njoftuar bizneset, por direkt duke i ndaluar në rrugë”, tha ai.

Për të ndihmuar biznesin Luku thotë se do të dërgojnë pranë Bashkisë së Durrësit sugjerimet e tyre.

“Shumica e bizneseve kanë ardhur dhe na kanë kërkuar mbështetje, kemi kërkuar mbështetje nga Bashkia, dhe të kemi masa zbutëse edhe për fashat orare”.

Bashkia e Durrësit për të lehtësuar trafikun gjatë muajin gusht që përkon dhe me rritjen e numrit të turistëve vendosi që furgonat që shpërndajnë mallra të shpërndajnë produktet në oraret ku ka më pak lëvizje. Ndërsa bulevardi kryesor nga ora 19 me 23 është kthyer në pedonale.