Bashkëshortja e Roan Brahimit merret në pyetje për atentatin në Lundër dhe vrasjen e vjehrrit! Zbardhet dëshmia e saj për dy ngjarjet kriminale
Bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi, është marrë në pyetje nga grupi hetimor në lidhje me vrasjen e vjehrrit të saj Gjovalin Prendi në Lezhë si dhe për atentatin me armë zjarri të ndodhur disa orë më pas në Lundër të Tiranës, ku mbetën të plagosur katër persona.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, gruaja e Roan Brahimit është shprehur se nuk ka asnjë dijeni mbi identitetin e autorëve që ekzekutuan babain e burrit të saj, 64-vjeçarin Gjovalin Prendi, në ambientet e biznesit të tij në Pllanë të Lezhës, më 17 prill.
Sa i përket atentatit të ndodhur në zonën e Lundrës në Tiranë, ku u qëllua drejt mjetit të kompanisë “Pelikan Security” dhe u plagosën katër persona – përfshirë dy djem të mitur të Vesel Demirajt – bashkëshortja e Brahimit ka mohuar çdo përfshirje apo dijeni. Ajo ka deklaruar se në momentin e atentatit ndodhej në Milot, dhe nuk ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes.
“Nuk kam dijeni kush ka vrarë vjehrrin tim. Për ngjarjen në Tiranë, nuk kam asnjë lidhje, në atë kohë ndodhesha në Milot. Nuk kam asnjë problem me askënd,” – mësohet të jetë shprehur ajo para oficerëve të policisë gjyqësore.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë fokusuar në disa pista, për shkak të përfshirjes së Roan Brahimit në konflikte të shumta kriminale, që përfshijnë grupe të rrezikshme në Shqipëri, përfshirë përplasjet me familjen Martinaj, fis Reçi në Mirditë, si dhe atentatet e ndodhura në Fushë-Krujë, Kurbin dhe Athinë.