Bashkëshortja e CEO-së së “Lufthansa” përplas për vdekje një 24-vjeçare! Ja sa vite burg rrezikon

Vivian Spohr, bashkëshortja e Carsten Spohr, drejtori ekzekutiv i kompanisë ajrore gjermane Lufthansa, ndodhet nën hetim në Itali pas një aksidenti rrugor tragjik ku humbi jetën një vajzë 24-vjeçare italiane. Ajo akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ndërsa rrezikon një dënim deri në 7 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Porto Cervo, një zonë luksoze në veri të ishullit Sardenjë, ku familja Spohr po qëndronte në shtëpinë e tyre verore. Sipas raportimeve nga Deutsche Welle, aksidenti ndodhi pasditen e së martës pranë një kryqëzimi, ku viktima – një dado 24-vjeçare – u përplas për vdekje nga automjeti SUV i drejtuar nga Spohr.

Autoritetet italiane kanë konfirmuar se testet për alkool dhe substanca narkotike rezultuan negative, por po analizohen pamjet filmike nga kamerat e sigurisë për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes.

Sipas avokatit të saj, Angelo Merlini, Spohr është thellësisht e tronditur dhe e penduar për aksidentin. “Ajo u përpoq të ndihmonte menjëherë viktimën, por i ra të fikët nga tronditja,” tha avokati, duke shtuar se klientja e tij është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet hetimore.