Bashkëpunimi kundër krimit/ Kreu i policisë së Shtetit takim me zv.ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim me Zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Mia Marzouk, dhe Shefin e Projekteve në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Simon Charters, për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe modernizimin e strukturave të sigurisë publike në Shqipëri.

Sipas një njoftimi nga Policia e Shtetit, në fokus të takimit ishin përpjekjet për rritjen e integritetit dhe efektivitetit në punën e policisë, përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe përmirësimit të kapaciteteve operacionale. Palët theksuan rëndësinë e zhvillimit të programeve të trajnimit për drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, si dhe përfshirjen e teknologjive të avancuara për të përballuar sfidat e sigurisë moderne.

Gjatë takimit u vlerësua kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në realizimin e aksioneve të suksesshme kundër grupeve kriminale, përmes ndihmës në hetime dhe mbështetjes me ekspertizë teknike. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte mbështetja e vazhdueshme për reformat policore në Shqipëri dhe bashkëpunimi në projektet e Policisë Shkencore, si pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një shërbim policor më profesional dhe efektiv.

“Ne jemi të përkushtuar për të vijuar partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, duke krijuar standarde të larta në shërbimin ndaj qytetarëve dhe duke forcuar sigurinë publike në vend,” deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pas takimit.

Ndërkohë, përfaqësuesit britanikë riafirmuan mbështetjen e tyre për përpjekjet e Shqipërisë në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.