“Bashkë për një sezon turistik të sigurt”, patrullat shqiptaro-italiane në Durrës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, zhvilluan sot një vizitë në qytetin e Durrësit, ku takuan nga afër patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që operojnë në zonat turistike bregdetare.

Vizita vjen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror. Patrullat e përbashkëta janë pjesë e një modeli të suksesshëm bashkëpunimi, që tashmë ka dhënë rezultate konkrete në rritjen e sigurisë dhe ndjesisë së besimit për qytetarët dhe turistët.

“Siguria është pasaporta e imazhit të vendit. Patrullimi i përbashkët shqiptaro-italian është një model i shkëlqyer bashkëpunimi për sigurinë në sezonin turistik. Falënderoj të gjithë punonjësit e policisë që çdo ditë e bëjnë të mundur funksionimin e këtij modeli.” u shpreh Ilir Proda.

Nga ana tjetër, Ambasadori Alberti theksoi rëndësinë e shkëmbimit të ndërsjellë profesional. “Ky bashkëpunim nuk është njëkahësh. Gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti në Itali. Qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin profesional mes dy policive.”

Ky partneritet i ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë synon jo vetëm rritjen e sigurisë në terren, por edhe forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve. Në një sezon turistik gjithnjë e më dinamik, siguria mbetet themel për mikpritjen dhe zhvillimin e turizmit në vend.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)