Basha ‘fushatë’ për postin e kreut të PD: Jam fajtor për krizën, por do e zgjidh me përvojën dhe mençurinë time
Ish kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë një ‘copëz’ të fushatës së tij për postin e kryetarit në partinë Demokratike. Ndryshe nga konkurrenti i tij për këtë post, Gjergj Hani, Basha ka zgjedhur t’i ndajë pas takimeve, synimet apo veçoritë e së shkuarës me anë të një statusi në Facebook.
Basha ka zgjedhur të mbajë fajin e krizës së PD-së por megjithatë ai beson se ka përvojën e duhur për ta zgjidhur këtë nyje.
“Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.
Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!
Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.”- shkruan Basha.
Një përgjigje e kishte edhe për Berishëm dhe kritikat ndaj tij, ku sipas tij mund të gjejnë zgjidhjen tek vettingu i politikanëve.
“Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.
Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në. Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt.
Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfluktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.