Basha: Dalje masive, demokratët vendosin sot ringritjen e PD

Lulzim Basha, i cili garon sot për kreun e ri të PD-së, ka hedhur votën e tij. Teksa ka përshëndetur me dy gishta, Basha ka votuar në zyrat e degës nr.8. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se kjo ditë është e veçante për nga rrethanat, ndërsa iu bëri thirrje demokratëve që të votojnë.

“Shpreh mirënjohjen për mijëra demokratike që iu janë drejtuar kutive të votimit në këtë ditë me domethënie të veçantë dhe për nga rrethanat unike për PD-në. Unike sepse jemi përballur me sfida si askush.Sepse ata mijëra demokratët që sot i drejtohen kutive të votimit kanë përballuar sulme nga më të padenjat e më të pamerituarat, padrejtësi të mëdha.Por ata vazhdojnë të qëndrojnë jo për veten e tyre, jo për fatet e tyre personale por për kauzat dhe vlerat që i bashkojnë në këtë familje politike në shërbim të shqiptarëve. Kjo dalje masive, që në mëngjes kam marrë mesazhe të pjesëmarrjes së demokratëve në këtë proces të sfiduar, të sprovuar por të vendosur që përmes votës së tyre sot të rinisin një ringritje të PD-së, jo vetëm për demokratët por me dhembshuri për çdo shqiptar, me shpresë tek Shqipëria e besim tek Zoti”, tha Basha.

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Gjergj Hani ka votuar ditën e sotme rreth orës 10:00. Pas votimit, Hani ka dhënë një prononcim për gazetarët, ku i ka bërë thirrje demokratëve që të dalin masivisht në votime.

Gjergj Hani: Ju falenderoj ju për prezencën tuaj që po pasqyroni këtë ngjarje të jashtëzakonshme në jetën e PD-së. I ftoj të dalin të votojnë masivisht demokratët pasi është e drejtë e tyre për të shprehur vullnetin dhe për të pasur moralin duke filluar nga nesër për të kërkuar llogari. Pjesëmarrja është e domosdoshme dhe vlerë e demokracisë, ajo që duhet t’i kthejmë kësaj partie.

I pyetur se pse nuk ka zhvilluar fushatë, Hani ka thënë se mundësitë nuk ishin të barabarta dhe shprehet i bindur se ai ka përcjellë mesazhin e tij për një PD ndryshe.

“Gjergj Hani i është përmbajtur vendimeve të kryesisë së partisë që vendosi tonet me të cilat d të zhvillohej kjo fushatë. Mundësitë nuk ishin të barabarta. Jam i bindur se Gjergji ka përcjellë mesazhin e tij për një PD ndryshe”, tha ai.

Përsa i përket vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së për anulimin e zgjedhjeve të 29 Korrikut për kreun e Partisë Demokratike, Hani ka thënë se nuk ka vlerë ligjore, teksa shtoi se për këtë çështje do të flasë drejtësia.

Gjergj Hani: Vendimi i marrë nga Bardhi, nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe asnjëlloj firme, i bërë online me Zoom, do të falsë drejtësia dhe ne i pranojmë vendimet e drejtësisë. Të përpiqemi që të ketë mbarëvajtje dhe të mos e thyejmë këtë heshtje zgjedhore. Fitojmë të gjithë, Fiton PD sot.