Bardhi rrëfen si i ndryshoi jeta pas lindjes së vajzës: Doja të lija muzikën, por nuk mund ta bëja

Bardhi, i ftuar në programin “A je bre normal?” nga Meriton Mjekiqi, ka ndarë momentet më të veçanta të jetës së tij si baba dhe ka folur për sfidat dhe ndryshimet që ka përjetuar.

Ai ka treguar se dy javët e para pas lindjes së vajzës së tij, Nea, ishin të vështira, por që ato kaluan shumë mirë, duke u adaptuar me kërkesat e fëmijës. Bardhi ka pranuar se, në fillim, ishte pak i shqetësuar kur e shihte vajzën duke fjetur dhe kontrollonte frymëmarrjen e saj.

“Kam menduar që do të jem shumë më i papërgatitur. Dy javët e para kanë qenë më të vështira, por tani çdo gjë po shkon mirë,” ka thënë ai. Ai ka zbuluar se ishte i pranishëm edhe në sallën e lindjes, duke treguar se nuk e priste që të ishte kaq i guximshëm.

Për jetën e tij pas lindjes, ai ka thënë se ka ndryshuar shumë. “Nëse dikur dilja, tani nuk dal. Më mirë rri me vajzën time se sa të dal,” tha ai, duke theksuar se vazhdon të punojë në studio çdo ditë.

Bardhi ka shpërndarë edhe detaje për emrin e vajzës së tij, Nea, i cili ka kuptim të veçantë në disa gjuhë. “Ne në greqisht do të thotë ‘e re’, ndërsa në arabisht ‘dhuratë e frytshme e Zotit’,” ka thënë ai.

Në lidhje me karrierën e tij muzikore, Bardhi ka treguar se ka qenë në një moment kur ka menduar ta lërë muzikën për të filluar një biznes tjetër, por e ka refuzuar këtë mundësi pasi nuk mund të largohej nga muzika. Ai ka folur edhe për përvojën në “Big Brother VIP”, duke thënë se ka qenë një eksperiencë që i ka ndryshuar jetën, pasi aty ka gjetur gruan e tij dhe ka krijuar familje.

Për bashkëpunimet e tij muzikore, Bardhi ka shprehur dëshirën për të rikthyer bashkëpunimin me Elvanën, duke thënë se ajo ishte një nga artistët që e mbështeti në një moment të vështirë të karrierës së tij.

Në fund, ai ka ndarë mendimin për tre reperët më të mirë, duke përmendur Unikkatil, Azet dhe Noizy, të cilët ai i konsideron si idhuj në industrinë muzikore.