Deputeti demokrat Gazment Bardhi, në daljen për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ka përmendur emrat e disa zyrtarëve të tjerë, që sipas tij janë përfshirë në dosjen e Arben Ahmetajt.
“Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, ka të dhënë për dy ish-kryerarë të PS, sot deputetë, Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo. Po ashtu Engjëll Agaçi”.
Sipas deputetit, këta zyrtarë kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.
“Pse po veçohen çështjet nga SPAK. Kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, në krye të të cilit është Rama”.
Ashtu si kolegët e tij, Bardhi ka një thirrje për ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
“Ata (avokatët) thonë se nuk e dinë vendodhjen e zotit Ahmetaj dhe kanë pohuar se do të kthehet. Një lutje për personin në hetim, të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Të zbardhë këtë aferë, t’i bëjë një shërbim qytetarëve që i dhanë besimin”.
Ndërkohë, Partia Socialiste dhe opozita i kanë hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt, duke rënë dakord për dhënien e autorizimit pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-ministrit.
SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion. Tre janë akuzat që rëndojnë ndaj tij, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Avokatët mbrojtës të ish-zëvendës/kryeministrit deklaruan sot në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se klienti i tyre ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye personale, por nuk bënë të ditur vendodhjen e tij.
Ndërkohë, të premten do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për prezantimin e raportit dhe të hënën në 17:00 pritet të mbahet seanca plenare, ku do të votohet raporti i Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj.