Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike: Aksioni politik i PD-së do të jetë i përqendruar në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari i grupit, Gazment Bardhi, ka theksuar se aksioni politik i PD-së do të jetë i përqendruar në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Sesioni i ardhshëm parlamentar do të udhëhiqet nga një parim i thjeshtë, nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fokusi kryesor i agjendës  tonë parlamentare dhe aksionit tonë do jetë i fokusuar tek beteja për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka qenë problem gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Ramës se kurrë nuk është zhvilluar procesi normal zgjedhor. Për herë të parë nuk ka patur asnjë reformë kuptimplotë zgjedhore.Gjata qeverisjes së PD çdo kërkesë e opozitës së asaj kohe është shoqëruar me një reformë kuptimplotë zgjedhore.Motoja jonë e aksionit politik dhe parlamentar është që nuk ka zgjidhje pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi përcaktuar edhe tre çështjet e interesit kombëtar ku do të fokusohet puna jonë, që ka të bëjë me propozimin tonë për vendosjen e  minimumit jetik për të ndihmuar shtresat në nevojë, e dyta projektligji për rritjen e pensioneve, me qëllim rritjen e pensioneve për shtresat në nevojë. Kemi caktuar edhe çështjet që do ndiqen me projektligjet që qëndrojnë të fjetura në Kuvend”, tha Bardhi.

Bardhi ka kritikuar ndjeshëm zhvillimin e proceseve zgjedhore gjatë viteve të fundit, duke deklaruar se nuk është lejuar kurrë një proces i denjë zgjedhor dhe se nuk ka pasur një reformë kuptimplotë zgjedhore. Ai ka përmendur kodin e ri zgjedhor të vitit 2008, i miratuar pas kërkesave të opozitës së asaj kohe, dhe përmirësimet “kuptimplota” që u bënë në vitin 2012.

Sipas Bardhit, Kryeministri Edi Rama ka bërë përpjekje për të shkallmuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme duke bllokuar ndryshimet dhe reformat zgjedhore të nevojshme. Bardhi ka nënvizuar se për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për problemet zgjedhore, është e domosdoshme të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai ka theksuar se PD do të vazhdojë të angazhohet për të siguruar që procesi zgjedhor të përmbushë standardet e kërkuara për transparencë dhe ndershmëri, duke përqendruar aksionin politik në këtë drejtim.