Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar thirrjen në seancë të ministrit të Brendshëm, duke e akuzuar atë për mashtrim dhe keqinformim lidhur me tubimin e mbështetësve të Erion Veliajt para SPAK. Sipas Bardhit, Policia e Shtetit nuk vetëm që nuk ka ndërhyrë për të ndaluar protestën, por ka refuzuar edhe thirrjen e Gardës së Republikës për të garantuar sigurinë.
“Ministri i Brendshëm në seancën e kaluar gënjeu pa turp, duke na dhënë informacione të rreme se Policia nuk kishte dijeni për prezencën e turmës para SPAK. Ndërkohë, SPAK dhe GJKKO kanë konfirmuar se kishin njoftuar për cenimin e ambienteve të sigurisë dhe Policia e Shtetit, jo vetëm që nuk ka bërë detyrën, por ka refuzuar thirrjen e Gardës së Republikës,” – u shpreh Bardhi.
Ai e cilësoi të papranueshme justifikimin e Policisë se tubimi ishte spontan, duke theksuar se, nëse ishte i tillë, atëherë ai konsiderohet i paligjshëm.
“Qëllimi ishte një: që Edi Rama me punonjësit e administratës i kërcënon jetën çdo prokurori dhe gjyqtari që jep vendime pa e pyetur. Zonja kryetare, thërrisni në seancë ministrin të japë llogari,” – përfundoi Bardhi, duke kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm.