Bardhi mbledh deputetët për ‘bashkim’, por Basha e bojkoton! I bashkohet Berisha dhe aleatët (EMRAT)
Gazment Bardhi, pasi u shkarkua edhe nga kreu i grupit, mblodhi në një takim deputetët e opozitës dhe ul në një tryezë më Sali Berishën dhe besnikët e tij për të kërkuar bashkimin. Këtë takim e bojkotoi, Lulzim Basha që mbart në duar edhe vulën e partisë, për të cilën po luftohet prej kaq kohësh.
Qëllimi i këtij takimi sipas Bardhit është bashkimi dhe unifikimi i aksionit opozitar, por në fakt këtë takim e bojkotoi figura më e rëndësishme, Lulzim Basha që mbart në duar edhe vulën e partisë, për të cilën po luftohet prej kaq kohësh. Ndonëse e shpërfilli takimin, Basha iu dha mesazh të gjithë deputetëve që iu bashkuan kësaj tryeze me Berishën, duke iu uruar rrugë të mbarë në bunkerin anti-amerikan. Ndërsa një thirrje të fundit u bëri për reflektim dhe t’i bashkohen vlerave euroatlantike.
“S’do reshtim dhe s’do humbasim durim tonë për të ftuar këdo që të reflektojë e të jetë pjesë e këtyre vlerave, por që kanë vendosur ti trafikojnë këto vlera në këmbim të komoditetit të rremë politik apo personal, udha e mbarë u qoftë në bunkerin anti-amerikan. PD nuk e dëmtojnë më”, tha Basha në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve.
Gjithsej në takim morën pjesë 43 deputetë, 4 online, 21 prej tyre të grupit Berisha, si edhe 4 aleatët Agron Duka, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Dashamir Shehi. Ironia në këtë takim ku kërkohet bashkimi pa vulë, shihet edhe në mënyrën se si deputetët ishin ulur në tryezë. Teksa po kërkojnë pajtimin mes tyre, në fakt dy grupet e deputetëve Berisha- Bardhi ishin ulur përballë njëri-tjetrit, duke të dhënë sërish imazhin e ndarjes mes tyre. Berisha qëndron me deputetët e tij në njërën anë të tryezës, ndërsa përballë tij Gazment Bardhi me deputetët që e kanë mbështetur.
Ky i fundit, në fjalën e tij për mediat bëri thirrje që deputetët të lënë pas debatet e brendshme dhe të dalin me axhendë të përbashkët parlamentare.
“Të ndërtojmë axhendë të përbashkët parlamentare gjejmë zgjidhje për probleme që duken në qëndrime të kundërta. Respektojmë qëndrime të secilit koleg për çështje që na kanë ndarë deri në këtë moment. Ndasitë në qëndrime veçanërisht për çështje të ndryshme, veçanërisht brenda PD nuk duhet të na shfokusojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj qytetarëve dhe demokratëve”, tha Bardhi.
Ndërkohë, Berisha i cili kërkon të gjejë ‘strehë’ te Gazment Bardhi bëri thirrje edhe për takime të tjera.
“Ne jemi shumë të vendosur, sikundër duhet të zgjerojmë në takime tjera. Ky është një takim i deputetëve të dalë nga lista e PD në zgjedhjet e 2021. Bashkërendimi me forca të tjera politike opozitare si PL, dhe në qoftë se dëshirojnë shumë të mirëpritur, edhe partia Integrim dhe Unitet e z.Idrizi, dhe të kemi front të gjerë, eficient të bashkërendojmë përpjekjet ndaj një regjimi që nuk ka asnjë ligj, asnjë normë, asnjë moral”, tha Berisha.
Vijon…