Barcelona e femrave drejt rekordit historik

Vitet e fundit ishim mësuar me rekorde të skuadrës së meshkujve. Por këtë herë duket se Barcelona e femrave do të jetë ajo që do shkruajë historinë.

Katalanaset janë shumë pranë rekordit për të mbajtur të paprekur portën dhe do tentojnë që ta thyejnë në duelin e radhës ndaj Valencias. Momentalisht, Barcelona ka 946 minuta pa pësuar gol në kampionatin spanjoll, pra pak më shumë se 9 ndeshje e gjysmë dhe është vetëm 16 minuta nga rekordi absolut i kompeticionit.

Edhe ky rekord mbahet nga Barcelona, në sezonin 2020-2021 kur arriti në 962 minuta pa pësuar gol, ecuri që u thye nga Real Sociedad. Pikërisht ndaj baskëve, në atë ndeshje të 3 dhjetorit të kaluar nisi edhe kjo ecuri fantastike. Barcelona ka pësuar vetëm katër gola në 21 ndeshje deri më tani, ku ka koleksionuar vetëm fitore.