Banorët e Thethit bllokojnë urën, ndalojnë Policinë dhe IKMT-në! Kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve pa leje
Një situatë e tensionuar është regjistruar këtë mëngjes në fshatin turistik të Thethit, ku banorët kanë bllokuar urën hyrëse të zonës, duke penguar forcat e Policisë së Shtetit të hyjnë në fshat.
Ky veprim është një reagim i drejtpërdrejtë kundër aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), që kishte planifikuar për sot shembjen e disa ndërtimeve pa leje në këtë zonë malore të mbushur me turistë në sezonin veror.
Banorët kanë reaguar me forcë, duke e cilësuar aksionin të padrejtë dhe të papërshtatshëm për një zonë që jeton nga turizmi.
Sipas tyre, shumë prej ndërtimeve janë investime të nevojshme për akomodimin e vizitorëve dhe shkatërrimi i tyre do të dëmtojë rëndë ekonominë lokale në kulmin e sezonit turistik.
View this post on Instagram
Një nga banorët, ka shpërthyer në lot përpara kamerave, duke u shprehur se të gjithë kursimet e një jete, para të marra edhe borxh, janë derdhur pikërisht në këtë biznes, i cili sipas tij ishte e vetmja mënyrë që ai dhe familja e tij të mbijetonin.
“Shpenzimet e gjithë jetës, jam mbytur në borxhe e tashmë po na i prishin të gjitha. Kam shtëpi druri pa beton pa asgjë. I kam vendosur tokën time. Kemi kërkuar leje por na kanë thënë të presim,. Toka është e imja, e trashëguar,. Kërkojnë ndihmë nga shteti që të mos na i prishë. Unë jam i pamundur për të jetuar, kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Na ka mbetur veç të vdesim. Nëpërmjet protestës kërkojmë që shteti të na lërë të jetojmë. Kanë thënë vetë që të investojmë, tani nuk na lënë. Këtu nuk ka asnjë beton, siç kanë thënë ashtu kemi investuar. Tani nuk kam më asnjë para për të investuar”, tha ai.
View this post on Instagram
Banorët e zonës gjithashtu janë përplasur verbalisht me efektivë të policisë së shtetit në tentativën e këtyre të fundit për t’u futur në zonë.
“Nuk kemi bërë asnjë krim, vetëm kemi ndërtuar në shtëpitë e të parëve tanë për të ofruar një shërbim. Kjo që po bën shteti shqiptar është një masakër ndaj nesh. Ne po kërkojmë gjënë më minimale dhe po na mohohet. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, u shpreh një prej protestuesve.
Nga ana tjetër policia ka paralajmëruar se ndaj tyre do të ketë penalizime për bllokimin e rrugës për automjetet, por ka hasur në rezistencën e banorëve gjithsesi.
View this post on Instagram