Banorët e Kaninës protestojnë për të tretën ditë radhazi! Kërkojnë akses normal në pronat e tyre
Banorët e fshatit Kaninë kanë dalë sërish në protestë mëngjesin e së martës. Për të tretën ditë me radhë, ata kërkojnë një zgjidhje për aksesin normal në pronat e tyre. Shkak për protestën është bërë ndërtimi i një nënkalimi me llamarinë nga firma “Gener 2”, i cili sipas tyre nuk u shërben as banorëve dhe aq më pak rasteve emergjente.
Sipas banorëve, nënkalimi i ndërtuar do të nxjerrë jashtë funksionit dhe përdorimit tokat bujqësore të më shumë se 150 familjeve që jetesën e tyre e kanë të lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë. Ata theksojnë se, në rast emergjencash si zjarre apo nevoja shëndetësore, automjetet nuk mund të kalojnë nëpër këtë nënkalim.
“Kjo është vetëm protesta e radhës, dhe nëse nuk merren masa, do të vijojmë edhe në ditët në vijim, madje me protesta më të përshkallëzuara”, shprehen banorët.
Bareq Sadiraj, kryeplaku i fshatit Kaninë, tha se protesta ka për qëllim të parandalojë një zhvillim të gabuar për të ardhmen e zonës.
“Ky nënkalim nuk mund të konsiderohet zgjidhje, sidomos nëse për Kaninën parashikohet ndonjë plan zhvillimi. Ne kemi kërkuar informacion në institucionet përkatëse, por jo vetëm që nuk kemi marrë përgjigje, por nuk ka as vullnet për anulimin e projektit dhe realizimin e një studimi të ri,” u shpreh Sadiraj.
Ndërkohë, bajpasi i Kaninës, i cili pritet t’i japë një zhvillim të ri zonës dhe të lehtësojë ndjeshëm trafikun, është drejt përfundimit. Megjithatë, banorët paralajmërojnë se nëse nënkalimet nuk merren në konsideratë si prioritare për interesat e tyre, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.