Banorët e Kaninës në Protestë/ Rruga për në Pronat e Tyre e Bllokuar nga Punimet e Bypass-it

Banorët e fshatit Kaninë në Vlorë kanë dalë sërish në protestë pas disa ditësh pezullimi të përkohshëm të punimeve, duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për bllokimin e rrugës që të çon në pronat e tyre. Sipas tyre, kompania që po kryen punimet për bypass-in e Vlorës ka ndërprerë çdo akses drejt tokave dhe banesave private, duke i izoluar tërësisht.

Protestat kanë nisur prej disa ditësh dhe, ndonëse ndërhyrja e Ministrit të Mbrojtjes, Piro Vengu, solli një ndërprerje të përkohshme të punimeve, sot ato kanë rifilluar pa paralajmërim dhe pa ndonjë komunikim zyrtar me banorët.

“Jemi të detyruar të dalim në rrugë. Nuk kemi më as rrugë për të hyrë në shtëpitë tona, tokat i kemi të bllokuara, dhe askush nuk na jep një shpjegim,” shprehen banorët e revoltuar. Ata shtojnë se edhe pas ndërhyrjes së ministrit nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete, ndërsa puna ka vijuar sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Situata po tensionohet dita-ditës, ndërkohë që qytetarët kërkojnë transparencë, zgjidhje emergjente dhe respektim të të drejtës së tyre për akses në pronën private.

Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse nuk merren masa urgjente nga autoritetet përgjegjëse dhe kërkojnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme që të mos cenojë të drejtat e tyre themelore.