Bankieri transferoi 80 milionë paund te gruaja për të shmangur taksat, por ajo e divorcoi – Gjykata e Lartë i jep të drejtë…
Një vendim historik i Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar ka përfunduar në favor të një bankieri britanik, i cili kishte transferuar 80 milionë paund te gruaja e tij për të shmangur taksën e trashëgimisë – dhe më pas u përball me kërkesën e saj për gjysmën e shumës gjatë divorcit.
Clive Standish, 72 vjeç, e kishte kaluar pasurinë në emrin e bashkëshortes australiane, Anna Standish, për të përfituar nga statusi i saj si jo-rezidente në Britani dhe për të shmangur një faturë tatimore prej 32 milionë paundësh në rast vdekjeje. Ai kishte qëllim që pasuria të përfitonte dy fëmijët e çiftit përmes fondeve offshore – por gruaja mbeti pronarja e vetme dhe nuk i përdori fondet sipas marrëveshjes.
Gjatë procesit të divorcit, gjykatat më të ulëta fillimisht i dhanë të drejtë gruas duke urdhëruar ndarjen e shumës në mënyrë të barabartë, por ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Apelit, dhe më pas u mbështet edhe nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi se pasuria nuk ishte kurrë trajtuar si pronë e përbashkët.
“Transferimi ishte pjesë e një skeme për të shmangur taksën e trashëgimisë dhe kishte si përfitues kryesor fëmijët, jo gruan,” thuhej në vendimin e përbashkët të Lord Burrows dhe Lord Stephens.
Avokatët e gruas pretenduan se ajo kishte kontribuar në pasuri duke e pranuar si dhuratë dhe se duhej konsideruar pronë e përbashkët, por gjykata konstatoi se nuk kishte prova që çifti i kishte trajtuar këto para si të përbashkëta.
Ekspertët ligjorë thonë se ky vendim pritet të nxisë interes të shtuar për marrëveshjet paramartesore dhe pasmartesore, sidomos tek individët e pasur. Yael Selig nga firma “Osborne’s Law” tha se rasti Standish është një paralajmërim i qartë: “Marrëveshjet paramartesore janë mënyra më e mirë për të mbrojtur pasurinë, pasi një proces i tillë mund të jetë i gjatë, i pasigurt dhe shumë i kushtueshëm.”