Banka e Shqipërisë firmos marrëveshjen për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në Ballkanin Perëndimor
Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën e Italisë dhe bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e një sistemi modern pagesash të shpejta në rajon. Marrëveshja u firmos gjatë një ceremonie të organizuar në Bankën e Italisë, ku morën pjesë drejtues të lartë të bankave qendrore nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Platforma e re e pagesave, e bazuar në sistemin europian TIPS (Target Instant Payment Settlement), do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 365 ditë në vit. Ajo është projektuar dhe do të administrohet nga Banka e Italisë, në bashkëpunim me bankat e rajonit dhe miratimin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Pritet që platforma të jetë funksionale brenda 18 muajve nga fillimi i punimeve, të planifikuara për javët e ardhshme. Ky sistem do të mbështesë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse dhe do të krijojë një lidhje të avancuar teknologjike me platformën TIPS në Europë.
Sistemi i ri i pagesave do të sjellë një sërë përfitimesh për qytetarët dhe bizneset:
•Shpejtësi dhe efikasitet: Pagesat do të realizohen brenda pak sekondash, duke eliminuar vonesat që hasen zakonisht me transfertat tradicionale bankare.
•Ulje e kostove: Përdorimi i pagesave të shpejta pritet të kursejë rreth 35–40 miliardë lekë për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.
•Rritje ekonomike: Sistemet e pagesave të shpejta nxisin efikasitetin e ekonomisë, përmirësojnë përfshirjen financiare dhe reduktojnë ekonominë informale. Sipas Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve, ekonomitë që adoptojnë këto sisteme përjetojnë një rritje të PBB-së prej 0.5–1%.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian. Për Shqipërinë, kjo nismë është gjithashtu një hap përpara në drejtim të digjitalizimit të pagesave dhe përmbushjes së angazhimeve ekonomike për integrimin në BE.