Rindërtimi i Gazës dhe Bregut Perëndimor pas 15 muajsh konflikti mes Izraelit dhe Hamasit do të kushtojë mbi 50 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të përbashkët nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.
Sipas raportit të publikuar nga Reuters, nevojiten 53.2 miliardë dollarë për rikuperimin dhe rindërtimin gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Në tre vitet e para do të duhen rreth 20 miliardë dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të shpenzohet në vitet në vijim.
Raporti thekson se mbi 60% e shtëpive në Gaza janë shkatërruar, duke kërkuar një investim prej 15.2 miliardë dollarësh për sektorin e strehimit. Ndërsa, sektori i tregtisë dhe industrisë, ashtu si edhe ai i shëndetësisë, do të ketë nevojë për rreth 6.9 miliardë dollarë secili.
Rigjallërimi i industrisë bujqësore parashikohet të kërkojë rreth 4.2 miliardë dollarë, transporti 2.9 miliardë dollarë, sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimeve 2.7 miliardë dollarë dhe arsimi 2.6 miliardë dollarë.
Një sfidë e madhe do të jetë edhe menaxhimi i mbetjeve nga lufta, të cilat përmbajnë municione të pashpërthyera. Për këtë sektor, raporti parashikon një kosto prej 1.9 miliardë dollarësh, për shkak të pastrimit dhe eliminimit të mbetjeve të rrezikshme.