“Banditë me uniformë”, Blushi sfidon policinë: Nuk keni treguar prova, kemi identifikuar dy persona me precedentë kriminalë

Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje momentet e arrestimit të kreut të PL, Ilir Meta.

Përmes një deklarate për shtyp, ai akuzon policinë se ka vepruar pa urdhër pasi nuk kishin prova.

“Akt i rëndë i urdhëruar nga Rama, Dumani e të gjithë bandat që kanë në krah. Do të bëjmë kallëzim penal, ishte urdhër që Meta të merrej me forcë dhe në mënyrë të dhunshme. Nga horrat që u përpoqën të nxirrnin forcërisht Ilir Metën, të paktën kemi identifikuar dy persona me precedentë kriminalë, të lidhur me bandat në zonën e Durrësit. Nëse kjo nuk është e vërtetë lë të dalë ministri i Brendshëm dhe të përgënjeshtrojë deklaratat. Ky automjet prej dy vitesh qarkullon në rrugët e Shqipërisë pa asnjë dokument identifikues, madje me një histori shumë të dyshimtë”, tha Blushi. Ai u shpreh se automjetet që janë përdorur nuk i përkasin Policisë së Shtetit. SPAK dhe GJKKO janë dy struktura kamikazë, nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmi që provon se Ilir Meta ka shkelur ligjin.
Janë dëshira dhe vullnete të regjimit përmes mekanizmave kriminal dhe kryeterroristit Altin Dumani.” tha mes të tjerash Blushi.