“Bandat vepruan në 10 qarqe për të…” Berisha: Ylli i fushatës, Sara Mila, e panjohura që u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PD-së, akuzoi Partinë Socialiste se fitoi zgjedhjet e 11 majit përmes blerjes masive të votave, duke përdorur banda në 10 qarqe dhe 20 bashki për të siguruar 30 mandate deputetësh.

Berisha përmendi konkretisht rastin e kandidates socialiste në qarkun e Elbasanit, Sara Mila, e cila sipas tij ka marrë mbi 18 mijë vota, duke u bërë më e votuara, një situatë që ai e cilësoi si një “barcaletë botërore” dhe simbol të manipulimit të zgjedhjeve në narkoshtetin shqiptar.

Sali Berisha: Cilat do qofshin përmasat e veprimtarisë kriminale të nëndheshme, këto publiket janë më të mëdhatë, më gjigantet, më të pashembulltat. Për të mos thënë pastaj rreth 500 milionë euro prokurime, PPP-ra, koncesione, gjatë fushatës elektorale. Që të gjitha për vota.

Për të mos thënë pastaj mbi 10 mijë punësime në qeverinë vendore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që të gjitha punë për votë, punësim për votë. E vërteta është se në këto zgjedhje, bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë.

Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS.

‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar.

Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera.

Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi.

Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit.