Banda e ekskavatorëve/ Vidhnin makineri të rënda në Greqi, i shisnin në Shqipëri
Drejtoria e Policisë së Janinës ka deklaruar se ka shkatërruar një organizatë kriminale që vidhte makineri të rënda ndërtimi dhe i shiste më pas në Shqipëri.
Sipas burimeve policore janë arrestuar dy shqiptarë, ndërsa janë identifikuar dy gra pjesëtare të rrjetit në fjalë, njëra vajza e njërit prej hajdutëve.
Shuma e aktivitetit të tyre kriminal llogaritet në 645.000 euro. Ndaj të arrestuarve është ngritur kallëzim penal për pjesëmarrje në organizatës kriminale dhe vjedhje të njëpasnjëshme.
Për sa i përket mënyrës, ata pasi lokalizonin makineritë e ndërtimit në kantiere, më pas duke përdorur kamionë me rimorkio i transportonin në zona të tjera për t’i fshehur dhe çmontuar, ndërsa gjatë lëvizjes së kamionëve përdornin si pararojë edhe makina private.
Qëllimi i tyre përfundimtar ishte transportimi i makinerive të vjedhura të ndërtimit jashtë Greqisë, konkretisht në Shqipëri, i rishisnin të tëra ose si pjesë këmbimi, duke pasur fitime të mëdha.
Pas hetimeve u arrit në përfundimin se të pandehurit janë të përfshirë në vjedhjen e dy ekskavatorëve, me vlerë totale 245.000 euro, e një makinerie punimesh tokësore, me vlerë 100.000 euro, e një kabine dhe motori, me vlerë totale 300.000 euro, të çilat u çmontuan nga një ekskavator me zinxhirë gjatë tetorit dhe nëntorit.
Dy të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Janinës, ndërsa hetimet vazhdojnë.