Balluku në Konferencën e Donatorëve në Bruksel: Shqipëria, 1 milion euro ndihmë Turqisë

 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, për të mbështetur qytetarët e prekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri.

Balluku u shpreh se Shqipëria do të ndihmojë Turqinë me 1 milion euro për rindërtimin e qyteteve të rrënuara.  Ajo nënvizoi se shuma është modeste, por shtoi se vendi ynë është solidarizuar me Turqinë, për t’iu gjendur pranë në ditë të vështira.

“Prezenca e Qeverisë Shqiptare sot në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar në Bruksel nga Komisioni i Bashkimit Europian, por sigurisht edhe nga Presidenca Suedeze është një moment i rëndësishëm solidariteti. Populli ynë e ka provuar gjatë tërmetit të 2019 sesa i rëndësishëm qe dërgimi i solidaritetit nga të gjitha shtetet, sidomos nga shteti turk i cili nisi menjëherë skuadrat e shpëtimit, skuadrat më të specializuara që ekzistojnë në Europë.

Ashtu kemi bërë edhe ne nga momenti i parë, duke dërguar menjëherë një skuadër të përgatitur për ‘search and rescue’, por nga ana tjetër edhe një skuadër me mjek dhe me infermierë. Por, sot këtu në konferencën e donatorëve ne kemi deklaruar se do të mbështesim këtë moment të vështirë për Turqinë me 1 milionë euro, të cilat do të përdoren për rindërtimin e qyteteve të rrënuara. Sigurisht është një shumë modeste, por ne sot kërkojmë të tregojmë solidaritetin tonë dhe respektin që kemi për popullin vëlla turk dhe sigurisht për të gjithë bashkëpunimin midis dy qeverive, duke nisur nga niveli ekonomik dhe diplomatik, edhe për më tepër për t’ju gjendur pranë në ditë të vështira si këto”, theksoi ajo.