Një vendim i qeverisë shqiptare, i firmosur dhe propozuar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka ndryshuar rrënjësisht procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë dhe një rreze prej 15 kilometrash rreth Aeroportit të Rinasit. Vendimi, i marrë më 18 dhjetor 2024, transferon kompetencat për dhënien e lejeve nga bashkitë përkatëse te Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC).
Për çdo ndërtim, qoftë ai familjar apo biznes, që ndodhet brenda kësaj rreze, kërkohet miratimi i AAC-së. Ky rregull do të zbatohet edhe për aeroportin e Vlorës, duke përfshirë një pjesë të madhe të bregdetit dhe përjashtuar nga vendimmarrja Bashkinë e Vlorës.
Zona e kontrolluar: Rreth 15 km nga aeroporti
Vendimi përcakton një “zonë të mbrojtur aeroportuale” me një rreze prej 15 kilometrash nga Aeroporti i Rinasit, shumë më e gjerë se standardi ndërkombëtar prej 10 kilometrash. Ky rreth përfshin jo vetëm qytetin e Tiranës, por edhe Bashkitë Vorë, Kamëz, Durrës, Shijak dhe pjesërisht Kavajën. Praktikisht, një pjesë e madhe e zonës ekonomike më të rëndësishme të vendit tani i nënshtrohet kontrollit të AZHT-së dhe AAC-së.
Pse ky vendim ngre pikëpyetje?
Sipas dokumenteve, standardet ndërkombëtare përcaktojnë zona të tilla sigurie vetëm si zgjatim i pistës së aeroportit dhe për një distancë maksimale prej 10 kilometrash. Ndërsa Shqipëria ka zgjeruar këtë hapësirë në formë rrethi, duke krijuar një zonë shumë më të madhe, që përfshin jo vetëm zona rurale, por edhe pjesë të qendrës urbane të Tiranës.
Për më tepër, Autoriteti i Aviacionit Civil, një institucion teknik që deri tani nuk ka pasur kompetenca mbi lejet e ndërtimit, do të duhet të vlerësojë të gjitha projektet brenda kësaj zone brenda një afati prej 30 ditësh. Kjo ka ngritur shqetësime mbi aftësinë e këtij institucioni për të përballuar fluksin e kërkesave. Vetëm në Bashkinë e Tiranës janë mbi 95 punonjës që merren me lejet e ndërtimit, ndërsa stafi i AZHT-së dhe AAC-së është shumë më i vogël dhe i papërgatitur për një fluks të tillë.
Ndikimi në zhvillimin urban dhe ekonomik
Vendimi prek një pjesë të konsiderueshme të zonave urbane dhe ekonomike të Tiranës dhe bregdetit, duke përfshirë zona si Selita, Farka e Vogël, Bulevardi i Ri dhe Liqeni i Thatë. Ekspertët urbanistikë shprehen të shqetësuar për ndikimin që kjo praktikë e re do të ketë mbi zhvillimin ekonomik, pasi lejet e ndërtimit mund të vonohen ndjeshëm për shkak të procedurave shtesë.
Ky është një precedent i paprecedentë, pasi praktika të tilla nuk ndiqen në vende të tjera dhe mund të ngadalësojë zhvillimin urbanistik në zonat më të rëndësishme të vendit. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të përballohet kjo situatë nga institucionet e përfshira dhe çfarë pasojash do të ketë për investitorët dhe qytetarët.