TIRANË- Zëvendëskryeministrja dhe ministrja Belinda Balluku bëri bilancin e vitit 2023, ndërsa u shpreh përgjatë këtij viti priten të përfundojnë vepra të rëndësishme infrastrukturore. Ajo renditi Tunelin e Llogarasë, aksin Thumanë-Kashar si dhe Rrugën e Arbrit.
Gjatë një konference, Balluku theksoi se nevoja për të investuar në rrugë vjen dhe për shkak të shtimin të vizitorëve të huaj dhe vendasve, një sfidë kjo, që sipas saj qeveria po e përballon me sukses.
Ajo theksoi se tuneli i Murrizit nuk ka marrë asnjë para shtesë nga buxheti i shtetit për vonesat kalendarike, por kostot janë përballuar nga fondi fillestar.
“ 2024 do të shënojë dy momente të rëndësishme; dorëzimin e tunelit të Llogarasë, që ka qenë një ëndërr për shumë qeveri të mëparshme, por që u realizua nga qeveria Rama. Do të përfundojë dhe do hapet në fillim të sezonit veror të 2024, ka qenë proces i gjatë, por i mirëstudiuar. Ka pasur sfidat për sa i përket gjeologjisë, por ka pasur gjeologji të qëndrueshme dhe nuk kemi ndaluar nga kalendari. Në 30 qershor 2024 vepra do të dorëzohet. Një lajm tjetër të mirë, kemi nisur vitin me një inspektim në aksin Thumanë-Kashar. Është kërkuar edhe nga kompania koncesionare që të vijohet dhe të dorëzohet sa më parë. Thumanë-Kashar do të futet në funksion gjashtë verës 2024. Një kalavar i gjatë përfundon në 2024, që mund ta themi këtë dhe ta garantojmë, se ka qenë një gëzimi të madh për MIE, por edhe për të gjithë shqiptarët që aksesojnë zonën e Dibrës, që në 26 dhjetor kemi përfunduar gërmimet në tunelin e Murrizit . Unë e kam ndjekur atë proces nga maj i 2019. Nuk është harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për të mbështetur vonesat për Rrugën e Arbrit. Në dhjetor të 2024, ndoshta dhe më shpejt, me përfundimin e tunelit të Murrizit ku janë hedhur qindra tonë hekur për ta mbajtur dhe garantuar atë, Rruga e Arbrit do të përfundojë”, tha ajo.