5 efektivë policie të rënë në detyrë vite më parë, Lulzim Sadikaj, Selman Lena, Zylfi Sulmataj, Qazim Duka dhe Edmont Çuka janë rivarrosur si dëshmorë të atdheut këtë të premte.
Policia e Shtetit duhet të forcojë përpjekjet e të rritë e konsolidojë rezultatet, për të fituar sa më shumë besimin e publikut, ishte apeli i ministrit të Brendshëm Taulant Balla në rivarrimin e efektivëve që tashmë do të prehen tek varrezat e dëshmorëve të atdheut
“Humbja e dëshmorëve nuk është shkaktuar nga pushtues të huaj dhe kjo na bën të gjithëve të reflektojmë, shoqërinë të reflektojë, për domosdoshmërinë e përkujtimit të veprës së tyre. Reflektimi nuk duhet të vijë vetëm nga shteti, por mbi të gjitha nga shoqëria dhe asnjë shtet nuk krijohet, zhvillohet dhe forcohet, pa dëshmorët e vet.”
Gjatë ceremonisë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se Policia e Shtetit është organizata që gjatë këtyre 33 viteve e ka paguar me shtrenjtë vendosjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Duhet të punojmë më fort që këto gjëra të mos përsëriten më, të mos kemi më të rënë në krye të detyrës për gabimet tona, apo strukturave të tjera, e bëj këtë apel në emër të sakrificave që këto vajza e djem, burra e gra, punonjësit e Policisë së Shtetit bëjnë çdo ditë në emër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në vend.”
Balla foli gjithashtu për nevojën për rritje të mbështetjes për familjet e të rënëve, të cilët kanë nevojë për strehim, punësim, përkujdesje shtetërore për fëmijët e të rënëve.