Balla takim në Policinë e Vlorës: Të garantohet bregdet i sigurtë për pushuesit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të Drejtorisë Vendore të Policisë në Vlorë. Gjatë takimit, ministri Balla theksoi se qytetarët janë partnerët e pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi nga çdo lloj paligjshmërie.

“Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit. Ndaj dua nga ju reagim të menjëhershëm”, tha Balla.

Po ashtu, Balla kërkoi nga strukturat e policisë që të garantohet bregdet i sigurtë për pushuesit nga mjetet lundruese.