Balla: Paga minimale do të bëhet 500 euro, mesatarja 1,000 euro – Ironizon opozitën për zgjedhjet e 11 majit

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka përdorur foltoren e Kuvendit për të shpallur premtimet ekonomike të qeverisë për mandatin e ardhshëm, ndërsa nuk ka kursyer as ironitë ndaj opozitës dhe koalicionit të saj për zgjedhjet e 11 majit.

Balla deklaroi se paga minimale do të arrijë 500 euro nga viti i ardhshëm, ndërsa paga mesatare do të shkojë në 1 mijë euro deri në fund të mandatit të ri. Ai theksoi se pensionet gjithashtu do të rriten, duke synuar 400 euro pension mesatar.

“Në vitin 2013, paga mesatare ishte vetëm 322 euro, ndërsa sot është 777 euro. Brenda këtij mandati, do ta çojmë në 1 mijë euro. Në sektorin publik do të shkojë në 1,200 euro. Pensioni mesatar do të arrijë në 400 euro. Këto janë fakte dhe shifra që nuk gënjejnë,” tha Balla.

Duke u ndalur tek koalicioni i opozitës për 11 majin, ai e ironizoi atë si një përpjekje pa vizion për të ardhmen.

“Shpresa juaj është që Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri dhe ca të tjerë do sjellin ndryshimin. Ky është vizioni juaj për të ardhmen?! Unë i kam parë këta në parlament, kemi bërë ndryshime kushtetuese me ta. Ju i sollët, jo unë,” tha ai me ironi.

Në fund, Balla nuk kurseu një tjetër thumb ndaj opozitës, duke parashikuar se pas humbjes në zgjedhje, ajo do të rikthehet tek strategjia e bojkotit.

“Ju do humbni, pastaj do merrni vendim për bojkot. Do ikni, pastaj do vijnë të tjerë. Këtë film e kemi parë shumë herë,” përfundoi ai.