Balla në Kuvend: Duhet një politikë e re penale, dënim ekzemplar për vrasësin e policit në Fier

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga salla e Kuvendit, tha se vendit i duhet një politikë e re penale, ndërsa i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë me paanshmëri vrasjen e punonjësit të Policisë në Fier, dhe të japë dënim ekzemplar për autorin.

Ministri i Brendshëm u shpreh se mosbindja ndaj urdhrave të ligjshëm punonjësve të Policisë së Shtetit përbën kundërvajtje penale, e cila për ata që nuk e dinë, nëse një punonjës policie të bën thirrje ose të kërkosh të largohesh, të mbash distancën mosbindja dënohet me burgim deri në 3 muaj; nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, dënimi shkon deri në 1 vit burg; e kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohesh deri në 7 vite burg. i kemi shkruar dhe miratuar ne në Kod Penal, Kuvendi i Shqipërisë.

Balla u shpreh se ndëshkimi i drejtësisë për këdo që ngre dorë kundër punonjësit me uniformë, duke të jetë i ashpër, siç parashikohet në Kodin Penal.

“Nëse qytetari mendon se ka të drejtë ndërsa punonjës i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin.

Kuvendi e ka bërë detyrën e vetë, se ka miratuar aktet ligjore. Na duhet të vendosim një standard të ri sa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit.

Ne, Kuvendi dhe qeveria e bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi dhe raste ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim.

I bëj thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar”, tha Balla.