“Babi më ka vdekur, nënën e kam të sëmurë nga koka, pas shkolle dal shes lajthi”

Nga: Xhensil Shkëmbi

Në Pogradec, teksa shëtitorja buzë liqenit ishte e tejmbushur me fëmijë që luanin sot për Ditën e Verës e me prindër që kujdeseshin për çdo hap të tyre përshtypje më bëri një djalë i vogël, me fytyrën e mërzitur, që po shiste lajthi.

E pashë me bisht të syrit por nuk e ndalova. Mendja më mbeti tek ai. Zoti (fati, natyra a rastësia) e solli afër meje përsëri teksa po pija kafe. Shoku që isha ulur i kërkoi lajthi.

-Si quhesh? (e pyes unë)

Eduard.

-Sa vjeç je?

13.

-Sa kohë ke që shet lajthi?

Po kam nja dy tre vite.

-Po prindërit pse të lënë të punosh kaq i vogël? Nuk shkon në shkollë ti?

Babi më ka ndërruar jetë. Mamin e kam të sëmurë nga koka. Unë shkoj në shkollë e pas shkolle dal dhe shes lajthi. E i çoj lekët mamit per ilaçe.

-Mëson në shkollë?

Po mësoj. (i turpshëm dhe ul kokën sikur do të ikë)

Shoku im që nxjerr gjithë lekët që kishte dhe ja jep, e Eduardi që numëron lajthitë.

Nuk kam kaq shumë lajthi.

-Mbaji mbaji lekët, por mos ki turp që punon. Sepse nuk je fëmijë, je burrë – thotë shoku im që vendos syzet për të mos u parë që i dolën lot nga sytë.

Iku. Me një hap të lehtë. Me kokën ulur. Shok nuk kishte me vete. Në dorë 5-6 qese lajthi që kushtonin një mijë lek të vjetra e që nuk i haje dot. Më dukej vetja i paaftë për të ngrënë nga duart e atij heroi të vogël. Atij heroi burrë.

Pogradec

2025