Babë e bir arrestohen për falsifikim dokumentesh, zbulohet laborator për kalime të paligjshme drejt BE dhe SHBA
Një laborator i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve është zbuluar nga Policia e Shtetit në përfundim të një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale. Operacioni i koduar “Identiteti”, i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme nën drejtimin e Prokurorisë, ka çuar në pranga dy shtetas – babë e bir, ndërsa një person tjetër është proceduar penalisht si bashkëpunëtor.
Të arrestuarit janë:
- Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “arrest në shtëpi” të dhënë nga SPAK, pasi dyshohet si pjesë e një grupi kriminal me të njëjtën veprimtari;
- P. B., 45 vjeç, djali i tij.
Ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi Sh. L., 62 vjeç, për bashkëpunim në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia ka zbuluar një ambient të përshtatur si laborator, ku prodhoheshin dhe falsifikoheshin dokumente identiteti dhe pasaporta të vendeve të ndryshme.
Sipas hetimeve, çmimi për një pasaportë të falsifikuar me shtetësi të huaj varionte nga 15 000 deri në 20 000 euro, dhe këto dokumente dyshohet se përdoreshin për kalime të paligjshme të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA-së.
Janë sekuestruar një sërë dokumentesh të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që përdoreshin në këtë veprimtari.
Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e falsifikimit dhe trafikimit të paligjshëm të qytetarëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.