“Bab ia dola”, kandidati i PS falenderon të atin e ndjerë pas mandatit të deputetit

Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës, rezultati përfundimtar në Qarkun e Lezhës konfirmon ndarjen 4 mandate për Partinë Demokratike dhe 3 për Partinë Socialiste.

Vota jashtë vendit nuk arriti të përmbyste rezultatin total, por ndikoi ndjeshëm në renditjen e listës së hapur të kandidatëve të PS-së, duke sjellë një ndryshim të papritur në përfaqësimin e qarkut.

Me vetëm 71 vota avantazh, Partia Demokratike siguroi mandatin e katërt në Lezhë, duke e mbajtur epërsinë minimale ndaj Partisë Socialiste.

Por ndryshimi vjen brenda radhëve të vetë PS-së, ku vota preferenciale nga diaspora pritet të çojë në Kuvend një deputet të ri dhe të ri në moshë, Admir Kadelin.

Sipas burimeve konfidenciale, Kadeli ka arritur të rikuperojë mbi 1,145 vota preferenciale, duke kaluar në këtë garë kandidaten Marjeta Neli, e cila vinte nga zona e Kurbinit.

Edhe në këtë garë të brendshme, fitorja erdhi me një diferencë të vogël votash, dhe ndonëse ende nuk është zyrtarizuar, burimet pohojnë se Kadeli do të jetë deputeti i ri i PS-së për Lezhën.

Një rezultat i tillë ishte i pritshëm për ata që kanë ndjekur nga afër fushatën e zhvilluar nga Admir Kadeli, veçanërisht angazhimin e tij të drejtpërdrejtë me shqiptarët jashtë vendit, ku ai kërkoi aktivisht mbështetjen e diasporës. Vota e tyre rezultoi vendimtare për të ndryshuar jo balancën politike të qarkut, por emrin e një prej përfaqësuesve të tij në Kuvend.

STATUSI I ADMIR KADELIT:

Me zemër plot mirënjohje, ju falënderoj sinqerisht për besimin dhe përkrahjen që më dhatë në këto zgjedhje.

Bab, ia dola!

Unë ia dola falë emrit tënd të mirë, miqve dhe shokëve që m’i ke lënë në krah dhe falë mbështetjes së qytetarëve të ndershëm dhe socialistëve të Lezhës, që duhet ta dish të kanë dashur gjithmonë!

Falenderoj Zotin, familjen dhe çdo qytetar e votues timin në Lezhë, Kurbin, Mirditë dhe Diasporë!