“B-2 goditën në Tiranë… më falni, Teheran!” Sekretari amerikan i Mbrojtjes ngatërron kryeqytetet gjatë deklaratës për sulmin ndaj Iranit

Një moment i sikletshëm ka ndodhur gjatë një konference për shtyp të mbajtur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, ku po jepte detaje mbi operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, të quajtur “Çekiçi i Mesnatës”.

Duke folur krah Gjeneralit Dan Caine, Kryetarit të Shtabit të Përbashkët të Forcave Ajrore amerikane, Hegseth u ngatërrua dhe tha:

“B-2 hynë dhe goditën në Tiranë… më falni, Teheran”, duke shkaktuar habi mes të pranishmëve. Ai e kuptoi menjëherë lapsusin dhe e korrigjoi.

Hegseth shpjegoi se ky operacion kërkoi muaj përgatitjeje, pozicionimi dhe koordinimi të saktë për të qenë gati kur të jepej urdhri nga Presidenti i SHBA-së.

Zyrtarët e Pentagonit konfirmuan se sulmi i ndërmarrë gjatë natës së 22 qershorit ishte më i madhi ndaj Iranit në histori dhe përfshiu përdorimin e bombave Massive Ordnance Penetrator (MOP) për herë të parë në një mision real luftarak.

Në këtë operacion morën pjesë më shumë se 125 avionë, përfshirë shtatë bombardues të avancuar B-2 Spirit, që u nisën nga territori amerikan dhe fluturuan rreth 18 orë, duke u furnizuar disa herë me karburant gjatë rrugës.

Gjenerali Dan Caine sqaroi se misioni përfshiu edhe avionë karrem, cisterna për furnizim me karburant, shoqërues luftarakë dhe dronë të përdorur për inteligjencë dhe kapje objektivash.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)