Avioni, detaje tronditëse: Ekuipazhi luftoi deri në fund, rusët nuk i lejuan uljen

Kapiteni Igor Kshnyakin, bashkë-piloti Aleksandr Kalyaninov dhe stjuardesa Hokuma Aliyeva humbën jetën nga rrëzimi i avionit të nisur nga Bakuja drejt Groznit, ndërsa dy stjuardesa mbijetuan dhe po marrin trajtim mjekësor në spital.

Pavarësisht se e dinin shumë mirë rrezikun, deri në momentet e fundit shqetësimi i tyre kryesor ishte shpëtimi i pasagjerëve.

Detaje rrëqethëse kanë dalë nga momentet e fundit të fluturimit 8432: Ekuipazhi bëri çmos që të garantonte sigurinë e pasagjerëve, dhe tani, anëtarët e tij po konsiderohen heronj.

Azerbajxhani Airlines publikoi emrat e tyre, duke theksuar se kapiteni Kshnyakin kishte një përvojë fluturimi prej mbi 15,000 orësh, dhe së bashku me Kalyaninov shfaqën aftësi të jashtëzakonshme, e pohuar kjo dhe nga ekspertët, pasi arritën të fluturonin aeroplanin përtej Detit Kaspik dhe të rrëzoheshin vetëm 3 kilometra larg pistës së aeroportit Aktau.

Pas Azerbajxhanit, edhe SHBA-të nuk përjashtojnë më një gabim nga mbrojtja kundërajrore ruse si shkak të rrëzimit të një avioni pasagjerësh azerbajxhanas në Kazakistan.

Sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, të dhënat fillestare tregojnë si avioni është goditur. Edhe CNN, ABC News raportuan për këtë.

Nëse konfirmohen indikacionet fillestare, mund të imagjinohet që njësitë ruse jo të trajnuara mirë mund të kenë gabuar objektivin në përpjekjen për mbrojtje ndaj kundër dronëve ukrainas, tha zyrtari amerikan.

Në bordin e avionit të rrëzuar ndodheshin 37 shtetas azerë, gjashtë nga Kazakistani, tre nga Kirgistani dhe 16 shtetas rusë.

Një total prej 29 pasagjerësh i mbijetuan përplasjes, ndërsa 38 humbën jetën teksa pilotët tentuan të bënin një ulje emergjente pranë qytetit të Aktaut.

Burime qeveritare thanë se aeroplani i dëmtuar nuk u lejua të ulej në asnjë aeroport rus pavarësisht kërkesave të pilotëve për një ulje emergjente dhe u urdhërua të fluturonte përtej Detit Kaspik drejt Aktaut në Kazakistan.