Aventura në Europa League rezulton ‘minierë ari’ për Romën

Suksesi në Kupat e Europës në këtë sezon ka mbushur arkat e Romës.

Klubi italian pjesë e së cilës është edhe mbrojtësi i kombëtares Marash Kumbulla siguroi finalen e Europa League dhe një bonus të majmë nga UEFA. Sipas përllogaritjeve, Roma ka grumbulluar një vlerë mbi 19 milionë euro deri më tani, të cilat do i shtohen edhe të ardhurat nga biletat në duelet e zhvilluara në stadiumin “Olimpico”.

Të ardhurave të gjeneruara nga UEFA do i shtohet edhe një bonus prej 8.6 milionë eurosh të tjera në rast triumfi për t’i dërguar në rreth 28 milionë përfitimet e Romës nga UEFA.

Trofeu 15 kilogramësh tentohet të fitohet për herë të parë nga Roma, që do sfidojë në stadiumin e Budapestit me 31 maj skuadrën eksperte të këtij kompeticioni, Seviljën.

Fituesi i turneut do të garantonte një vend në fazën e grupeve të Champions League në sezonin e ardhshëm, me dy ekipet që janë shumë larg përmes kampionatit. Prandaj misioni i Romës dhe Seviljës është sigurisht fitimi i titullit për të marrë jo vetëm bonusin financiar edhe prestigjin Europian.