Nga data 4 janari 2025, autostrada Thumanë-Kashar do të bëhet me pagesë. Kompania koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban të vetmin aks rrugor të kategorisë “A”, njoftoi nisjen e aplikimit të tarifës, pas 6 muajsh kalimi pa pagesë.
Segmenti Thumanë-Kashar u hap për qarkullimin e automjeteve në 30 qershor të këtij viti. Ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. që nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit. Ky aks rrugor është aksi i parë ku qarkullohet me një limit shpejtësie deri në 130 kilometra në orë.
Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit, dhe kompania private do mund ta rrisë atë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Por do të ketë edhe rrugë alternative, ku kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët.
Ky aks rrugor lehtëson të gjithë trafikun që krijohet në autostradën e veriut, apo problematikat në Aeroportin e Rinasit.