“Autorët e huaj e kanë konsideruar si hero apo tradhtar”, ish-gazetari flet për “Ciceronin shqiptar të Hitlerit”: U mitizua si spiun i madh i shekullit XX, por në librin tim…

Ish-gazetari Bashmir Xhemaj pas librit të tij të parë i cili pati një sukses të madh, u nxit për të nxjerrë në treg një tjetër libër “Ciceroni shqiptar i Hitlerit”. Sipas gazetarit, ky shqiptar i Kosoves është mitizuar si spiuni i madh i shekullit XX, ku autorë të huaj e kanë konsideruar si hero apo tradhtar. Xhemaj shpjegon që në librin e tij ka zgjedhur të mos dalë në asnjë konkluzion, pasi detyra e tij si autor është që ta nxjerrë ashtu siç është në të vërtetë. Sipas tij ky shqiptar nuk ishte një spiun si këta të sotmit, i trajnuar, ai ishte një njeri që kishte pasion famën, pasi e kaluara e tij, mes luftës në Prishtinë, i ka lënë një ndjesi për t’u bërë dikushi.

“Një herë gazetar, tërë jetën gazetar. Pra nuk mund të shkëputemi nga leximi, nga shkrimi. Edhe kur nuk je aktiv, e ke gjithmonë një vesh aktiv për gazetarinë, për atë që thuhet edhe shkruhet. Ka qënë shtytje libri i parë i botuar para disa viteve në zhanrin e biografisë dhe suksesi i atij libri ishte edhe një thirrje për mua që të vazhdoj sepse kisha dilema që të mbetesha vetëm me një libër, atëherë i bie që të ishte një libër rastësie. Pikënisje tjetër për mua ishte se si ky shqiptar ishte shkruar dhe portretizuar nga autorë të huaj dhe nga ana tjetër ka qënë e papranueshme për mua sepse diku quhej hero, diku tradhëtar, diku mitizohej si një spiun i madh i shekullit XX. Në librin tim nuk është as njëra as tjetra.

Këtu e bëj punën që duhet ta bëj një autor që të mos hidhem në konkluzione, që të mos vij në përfundime sepse nuk më takojnë, sidomos për biografinë. Detyra ime si autor është që ta nxjerr ashtu siç është dhe me shkruajt ashtu siç janë. Ai nuk ishte spiun siç janë ato sot, ai kishte një pasion për famën, e kaluara e tij e fëmijërisë në Prishtinë, me luftë, atij ia ka lënë një ndjesi për tu bërë dikushi”, u shpreh ish-gazetari Bashmir Xhemaj.